Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi ka përfunduar procesin e votimit, ka deklaruar se balotazh, përveç në Prishtinë, do të ketë edhe në shumë komuna të tjera të vendit.

“Unë besoj se do të votojmë më 9 nëntor në raundin e dytë, si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në shumë komuna të tjera të Kosovës. Po ashtu, besoj dhe shpresoj se do të votojmë, jo më larg se në dhjetor, edhe për zgjedhjet parlamentare”, tha Krasniqi.

Ai ka theksuar se kjo ditë është shumë e rëndësishme për të përcaktuar drejtimin e qyteteve dhe komunave ku jetojnë qytetarët.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës, por edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të dalin dhe të votojnë masivisht, për t’u dhënë drejtimin qyteteve dhe komunave ku ata jetojnë. Sepse katër vite janë shumë, dhe verdikti i tyre duhet të jetë ai që vendos për të ardhmen e tyre dhe për një jetë më të mirë për ta”, ka shtuar ai.