Gazeta gjermane, Frankfurter Rundschau, i ka kushtuar një artikull Baletit Kombëtar të Kosovës dhe kushteve të rënda në të cilat ata operojnë.
Në një artikull të gjatë, me shumë interpretime artistike, e përditshmja gjermane shkruan se si një koreograf po ngjall sado pak baletin e Kosovës, i cili ka vetëm 26 anëtarë.
Në prapaskenat e përgatitjeve për premierën e shfaqjës “Carmina Burana” anëtarët e baletit të Kosovës tregojnë se paguhen mes 500 dhe 850 euro në muaj e nuk kanë as ku të kryejnë provat. Pjesën më të madhe të tyre, për të mos thënë të gjitha, i bëjnë në ambientet e Ansamblit “Shota”, pasi ata t’i kenë kryer provat e tyre.
“26 anëtarët e Baletit Kombëtar fitojnë midis 500 dhe 850 euro në muaj, në varësi të rangut të tyre në kompani. Ata nuk kanë një hapësirë prove të tyre, e lëre më një skenë të tyre. Baleti kryen provat në ambientet e grupit të vallëzimit popullor “Shota”. Grupi popullor bën prova në mëngjes, valltarët e baletit pasdite”, shkruan gazeta.
Shfaqja mbahet në AMC Hall “një bllok betoni në mes të një fushe të thatë dhe të pluhurshme” që për autorët e tekstit “nuk është një vend i mirë për një grup që dëshiron të shihet—shumë larg, shumë i thjeshtë”. Në publikun e gjerë, sipas gazetës, mungon dikush i rëndësishëm për vallëtarët, Kryeministri Albin Kurti.









