Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka ashpërsuar kritikat ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, duke paralajmëruar vazhdimin e betejës juridike në Apel.

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Prosper tha se aktgjykimi, sipas tij, nuk prek vetëm katër të dënuarit, por edhe mënyrën se si interpretohet lufta çlirimtare e Kosovës.

“Ata kanë njollosur të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në esencë kanë njollosur të gjithë trashëgiminë e çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë”, deklaroi Prosper.

Ai kritikoi edhe përfundimet e gjykatës për përgjegjësinë e përbashkët kriminale, duke thënë se ato, sipas tij, “kanë njollosur NATO-n” dhe kanë rishkruar historinë.

“Tre burra kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë”, tha ai.

Prosper e cilësoi aktgjykimin si “jo të ndershëm” dhe pretendoi se trupi gjykues kishte anashkaluar prova që, sipas mbrojtjes, kundërshtonin ekzistencën e një strukture funksionale komanduese brenda UÇK-së.

Ai paralajmëroi se mbrojtja do t’i kundërshtojë këto përfundime në Apel, duke theksuar se beteja juridike nuk ka përfunduar.