Ky është Pietro Spera, Avokati i Popullit në Gjykatën Speciale, dhe ka gjasa të jetë ai që do ta kontestojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilin Kuvendi e kaloi në procedurë të përshpejtuar dhe për miratimin e të cilit u protestua masivisht për 21 ditë në Kosovë dhe Evropë.

Kontestimin ai mund ta bëjë në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

Një nga detyrat parësore të zotit Spera është të mbrojë dhe garantojë të drejtat e të akuzuarve. Por në realitet, këto 6 vjet, ai ka qenë veç një noter dhe zëdhënës i Prokurorisë dhe institucioneve të tjera në Speciale, në dëm të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka më shumë se dy vjet që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa e Pjetër Shala refuzojnë ta takojnë, pikërisht për shkak të qasjes së tij të anshme.

Pietro Spera e kishte konfirmuar vetë refuzimin e takimeve, por në vend që ta merrte me shqetësim, në mënyrë absurde e trajtonte me qeshje dhe mospërfillje.

“Zakonisht më takonin shpesh në fillim, ndërsa tani do të thosha se në rastet e fundit kur isha atje nuk më takuan, por gjithsesi kjo është në rregull.”

Por, cilat ishin arsyet që ai u bë non grata për krerët e UÇK-së në Hagë?

Në vitin 2022, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i drejtuan zotit Spera një varg shqetësimesh: për redaktime masive në dokumente nga ana e prokurorisë, vonesa të pajustifikuara në procedura, mungesë monitorimi të procesit, kohëzgjatje ekstreme të gjykimit dhe paraburgimit, fshehje të provave shfajësuese, si dhe devijim nga baza ligjore dhe kushtetuese e Kosovës.

Të gjitha këto ai i rrëzoi, duke i interpretuar si procedura normale juridike.

Ka disa muaj që VOX Kosova i ka dërguar avokatit Spera një listë pyetjesh rreth qëndrimit të tij për të gjitha shqetësimet e ngritura për një gjykim të anshëm, jotransparent dhe shkelje të të drejtave të njeriut, e veçanërisht për ato të konstatuara nga një raport i organizatës së mirënjohur britanike “Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit”.

Natyrisht, ai bëri atë që me gjasë e ka kthyer në traditë: Heshti. 

Kur edhe i thirruri për mbrojtjen e lirive themelore të njeriut shndërrohet në avokat të sistemit, duke i justifikuar e normalizuar shkeljet, është treguesi më i qartë se padrejtësia në Hagë është një mekanizëm i kurdisur.

Historia e Pietro Sperës vërteton se detyra e tij e radhës në kontestimin e një ligji që kërkon monitorim dhe respektim të standardeve të drejtësisë, do të jetë një shërbim i radhës që i bëhet një sistemi të padrejtësisë të konstruktuar në Hagë me direktiva politike nga ata që tash reagojnë si të shqetësuar për miratimin e këtij ligji.