Salla në Prishtinë duartrokiti fort kur Albin Kurti gjatë prezantimit të programit elektoral përmendi se planifikojnë të themelojnë një kompani ajrore.

“Brenda mandatit do të nisim procesin për themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik me partneritet me aktorë të rëndësishëm të industrisë së aviacionit brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi ai të dielën.

Kryeministri në detyrë nuk e përmendi më premtimin e tij të vitit 2021, kur tha se “Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: kargo dhe për udhëtime me kosto të ulët”.

Por, se themelimi dhe funksionimi i një kompanie ajrore nuk është aspak proces i lehtë, rasti i Shqipërisë është shembull.

Në 20 vjet, në Shqipëri kanë dështuar disa kompani ajrore, si Ada Air, Belle Air, Albwings, Albatros Air, Albanian Airlines dhe së fundi edhe ajo që u ngrit me pompozitet – Air Albania.

Air Albania humbi licencën e operimit në dhjetor 2025, duke lënë pas pasagjerë të frustruar, fatura të papaguara, padi ndërkombëtare, borxhe dhe punonjës të dëshpëruar.

Nga raportimet e mediave në Shqipëri, që citojnë edhe mediat e huaja të orientuara në fushën e aviacionit, si Aero Telegraph, përshkruhet fluturimi dhe aterrimi përfundimtar i Air Albania.

Siç raportonte në dhjetor Gazeta Telegraf, duke iu referuar Aero Telegraph, në maj të vitit 2017, kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftuan bashkë krijimin e një linje të re ajrore kombëtare shqiptare.

Partneriteti publik-privat midis dy vendeve, i mbështetur nga Turkish Airlines, synonte të ofronte fluturime ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës dhe të nxiste industrinë në zhvillim të turizmit shqiptar.

Aksionet u ndanë midis Turkish Airlines (49%), agjencisë shtetërore Albcontrol (10%) dhe kompanisë shqiptare MDN (41%), pa një tender publik.

Në korrik 2018, Air Albania nisi fluturimin e saj të parë midis Tiranës dhe Stambollit, me një Airbus A319 të marrë me qira nga Turkish Airlines. Fillimisht, projekti i përbashkët u duk premtues.

Megjithatë, kompania hyri në krizë me bumin e aviacionit shqiptar të viteve të fundit, kur Wizz Air dhe Ryanair ndryshuan tregun me biletat e tyre me kosto të ulët.

Në pranverën e vitit 2025, pas një periudhe reflektimi, Air Albania u rilançua me 11 destinacione të reja nga Tirana dhe avionë shtesë të marrë me qira nga Fly2Sky dhe SkyUp. Por edhe kjo përpjekje dështoi.

Më 20 shkurt 2025, kompania nisi fluturimin e saj të parë nga Tirana në Vjenë me një Airbus A320 të marrë me qira nga Fly2Sky, por në bord ishin vetëm 10 pasagjerë. Ndërkohë, Ryanair, Wizz Air dhe Austrian Airlines e kishin mbushur tregun me çmime konkurruese. Pas vetëm tre fluturimesh, edhe kjo linjë u braktis.

Rihapja dhe lidhjet e reja të njoftuara nuk u realizuan kurrë.

Në muajt e fundit të vitit 2025, vetëm një avion i marrë me qira përdorej për fluturime të rralla drejt Milanos dhe Stambollit, ndërsa raportimet për gjendjen e rënduar financiare shtoheshin çdo ditë.

Air Albania, thuhet në artikull, është përballur me padi në gjykata ndërkombëtare për mospagim tarifash dhe kostosh operative.

Në nëntor, Turkish Airlines njoftoi largimin nga partneriteti dhe ndërprerjen e bashkëpunimit në linjën e Stambollit – sinjali i qartë se falimentimi ishte çështje kohe.

Sipas raportimeve, borxhet e Air Albania kapin shifrën e mbi 100 milionë eurove.

Historia e kompanisë përfundoi me uljen e fluturimit ZB1003 nga Stambolli, pak para mesnatës së 2 dhjetorit 2025 – duke mbyllur përfundimisht një kapitull që nisi me ambicie të mëdha dhe përfundoi në dështim të plotë financiar.

Dhe krejt ky borxh, sipas të njëjtës media ndërkombëtare, Aero Telegraph, po shqyrtohet të paguhet nga Qeveria e Shqipërisë.

Në mars, ky medium raportoi se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka marrë përsipër të paguajë rreth 35 milionë euro për të shmangur procedurat ligjore.

“Qeveria shqiptare po shqyrton marrjen përsipër të një pjese të borxheve të linjës ajrore të falimentuar. Kjo rrjedh nga detyrime të papaguara prej afërsisht 100 milionë eurosh, duke përfshirë pagesat për qiratë, tarifat e aeroportit, karburantin dhe shërbimin e ushqimit, sipas raportimeve të mediave lokale.

Për të shmangur procedurat ligjore, shteti mund të marrë përsipër rreth 35 milionë euro. Këto fonde do të përdoren posaçërisht për të zgjidhur pretendimet kundër Air Albania nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet aty.