Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili bashkë me zëdhënësin e Qeverisë, Arlind Manxhuka, u dënuan të martën me nga 1 vit e 6 muaj burg, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e portretizuar si jo-patriotik.

“Ata që lirojnë terroristët serbë që gjuajnë bomba duan të na dënojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali”, ka shkruar Azemi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka konfirmuar se ai dhe Manxhuka janë dënuar me nga 18 muaj burg, teksa Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani me nga 6 sosh, nga ata që ai thotë se i “nënshtrohen Serbisë”.

Azemi ka shkruar po ashtu se gjykatësit që e dënuan, që ai i përshkruan si “qanta që vijnë andej kufirit të Republikës, kurrë nuk do të na mbyllin gojën”.

Manxhuka dhe Azemi akuzoheshin nga Prokuroria se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Të njëjtit, sipas organit të akuzës, përmes rrjetit social “Facebook” me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj viktimave, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit, Dejan Pantiç.