Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, e paraparë për t’u mbajtur sot (e hënë) është anuluar.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka thënë se shkaku i anulimit është avancimi i Kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, në Gjykatën e Apelit.
“Gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka thënë Gashi për mediat.
Ajo ka njoftuar se lënda e Krasniqit do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore.
Në nisje të gjykimit, më 3 korrik 2025, Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që e ngarkonte organi i akuzës. Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Speciale e akuzon Krasniqin se ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” që të tregtojë energji elektrike në kundërshtim me ligjin – pa pasur licencë në Kosovë.
Dëmi që i ka shkaktuar shtetit, sipas Prokurorisë, është 3.2 milionë euro.









