Në Hungari ka humbur Viktor Orban, një autokrat i llojit të Albin Kurtit me fytyrë tjetër ideologjike, por me politika të njëjta.

A ka mësim për Kosovën nga humbja e Orbanit?

Fatkeqësisht Kurti është si Orbani – autokrat që inskenon gjithmonë armiq, fjalaman që shet shumë në idenë e të qenurit sovranist dhe politikan që ndërton vazhdimisht skema kinse për të rishpërndarë paratë te populli.

Njëjtë siç bën Kurti.

Por, fatkeqësisht po ashtu, opozita në Kosovë nuk është si Peter Magyar në Hungari. Njeriu që e mposhti Orbanin.

Magyar nuk është një lider i jashtëzakonshëm. Nuk është orator kushedi i spikatur. Nuk është senzacion politik dhe nuk është dikush që rrallë shihet në politikë.

Atëherë pse fitoi?

Përjashto rrethanat specifike, kohëzgjatjen e Viktor Orban në pushtet, korrupsionin e madh dhe lodhjen e njerëzve me ta, Magyar fitoi sepse i bindi njerëzit se betejën e kishte përnjëmend.

Ai gjithashtu e kishte kuptuar se nuk ka fushatë më të mirë  në politikë se sa takimi me qytetarë. I bindur se të folurit veç nga kryeqyteti nuk kryen punë. Qe 2 vjet ai udhëton gjithë kohën deri në zonat më të thella të vendit. Kohët e fundit madje, mbante deri në shtat tubime në ditë.

Fitorja e Magyar është një ridëshmim se akoma më e rëndësishme se çfarë thuhet është kush e thotë.

A je dikush që jeton me popullin, ke probleme të përbashkëta, ndan shqetësime të njëjta dhe lufta ka çmim edhe për ty, apo dikush që pas fjalimit me shqetësime të mëdha, kthehesh në lagjen më luksoze të kryeqytetit dhe mbrëmjen e kalon pran pianos me venë në dorë.

Ose a je dikush që i mban edhe shtatë tubime në ditë kur është nevoja, apo e kupton politikën si punë në mini-market ku e përfundon orarin dhe kthehesh në shtëpi shikon ndeshje futbolli. 

Gjithsesi, nuk duhet harruar, një prej arsyeve të forta pse u rrëzua autokrati Viktor Orban nga pushteti ishin edhe disa gazetarë të pavarur që për 16 vjet refuzuan të nënshtrohen, ndryshe nga një shumicë dërrmuese e kolegëve të tyre që vit pas viti binin në dorën e pushtetit atje.

Disa gazetarë, siç është András Pethő, i lanë pozitat në mediat e mëdha dhe themeluan mediumin “Direkt36” që prej vitesh ka zbuluar skandalet e qeverisë së Orban, ka shpërfaqur lidhjet e tij me Rusinë, ka raportuar për korrupsionin e madh qeveritar dhe ka ndihmuar që të bie maska e “sovranistit që i shërben popullit”.

Pa këta gazetarë të pavarur fitorja do të ishte e pamundur.