Pas 16 vjetësh në pushtet, regjimi i Viktor Orban-it në Hungari mori fund. Bashkë me të edhe sistemi i cilësuar si “autokraci zgjedhore” u rrënua. Obran u mposht nga një 45 vjeçar, ish-zyrtar i partisë së tij, i cili arriti të bindë shumicën e hungarezëve që t’ia përfundojnë sundimin ish-shefit të tij.
“E bëmë”, u tha Peter Magyar një turme mbështetësish entuziastë pranë lumit Danubi, përballë parlamentit madhështor në Budapest. “Së bashku përmbysëm regjimin hungarez”, shtoi ai transmeton BBC.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve, e nxjerrin partinë e tij Tisza drejt një rezultati të jashtëzakonshëm prej 138 ulësesh në Parlament, ndërsa partia Fidesz e Orban-it pritet të marrë 55, dhe e djathta ekstreme Our Homeland Movement gjashtë.
Kjo fitore dërrmuese jo vetëm që do t’i japë mundësi Magyar-it të përmbysë politikat gjithnjë e më të papëlqyera të brendshme të Orban-it, por edhe të riformatojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Hungarisë.
Orban ka qenë një aleat i afërt i Presidentit Amerikan Donald Trump – duke siguruar edhe një paraqitje fizike nga zëvendëspresidenti JD Vance gjatë javës së fundit të fushatës – si dhe i Presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ishte bërë gjithashtu një pengesë serioze për Bashkimin Evropian dhe Ukrainën.
Në anën tjetër, Magyar kandidoi me një platformë që synon largimin e Hungarisë nga Rusia dhe afrimin më të madh me BE-në dhe Ukrainën.
Për dy vite, Magyar e zhvilloi lëvizjen e tij në rritje nëpër fshatra e sheshe qytetesh, duke mobilizuar hungarezët që ishin lodhur nga klientelizmi dhe korrupsioni, të cilat ishin përhapura jashtëzakonisht shumë ndër vite në Hungari.
“Asnjëherë më parë në historinë e Hungarisë demokratike nuk kanë votuar kaq shumë njerëz – dhe asnjë parti e vetme nuk ka marrë një mandat kaq të fuqishëm”, tha ai të dielën në mbrëmje, pasi një rekord prej 79.5 për qind e elektoratit mori pjesë në votime.
Pushteti i Orban-it ishte ndërtuar mbi katër fitore radhazi në zgjedhje dhe shumica dërrmuese, por u bë e qartë brenda pak minutash se gjithçka kishte përfunduar.
Ndërsa mbështetësit e Magyar prisnin me padurim në një shesh në anën e Budës përgjatë Danubit, lideri i Tisza publikoi një mesazh të jashtëzakonshëm në Facebook: “Viktor Orban sapo më telefonoi dhe na uroi për fitoren”.
Nuk kishte pothuajse fare kohë për të përtypur atë që sapo kishte ndodhur, ndërkohë që vetëm 30 për qind e votave ishin numëruar në atë moment.
Pak çaste më vonë, vetë Orban doli në skenë në një qendër konferencash në anën tjetër të Danubit, i rrethuar nga kolegët e tij të Fidesz-it.
“Rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm”, u tha ai, duke falënderuar rreth 2.5 milionë hungarezë që e mbështetën. “Ditët që kemi përpara janë për të shëruar plagët tona”.
Lajmi filloi të përhapej mes mbështetësve të Magyar-it dhe në hotelin pranë, që ishte kthyer në seli të partisë, aktivistët e Tisza-s përqafoheshin mes tyre.
Magyar ka premtuar të zhbëjë ndryshimet e epokës Orban në arsim dhe shëndetësi, të luftojë korrupsionin, të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit dhe të çmontojë sistemin e përçmuar të patronazhit të njohur si NER, i cili ndihmoi pasurimin e besnikëve të partisë dhe shpërdorimin e burimeve shtetërore.
Për të realizuar ndryshime kushtetuese, atij i nevojitej një shumicë prej dy të tretash – 133 nga 199 ulëset e parlamentit hungarez. Edhe pse rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur, Tisza është në rrugë për të arritur 138.
Magyar kishte paralajmëruar mbështetësit të përgatiteshin për një ndryshim regjimi – dhe tani ata e kishin. Festa filloi vërtet dhe shampanja nisi të rrjedhë. Makinat i binin borive nëpër Budapest, ndërsa gratë valëvitnin flamujt hungarezë nga çatitë e hapura të makinave.
Shumë prej atyre që e mbështetën Magyar-in nuk janë mbështetës të natyrshëm. Për vite me radhë ai kishte qenë në anën e Orban-it – dhe tani e rrëzoi atë.
“Ai është dikush për të cilin nuk mund të jesh plotësisht i sigurt”, tha për BBC-në një avokate me emrin Agnes, “por kemi arritur në një pikë ku duhet të shpresojmë për diçka më të mirë, që ai e premton – dhe shpresojmë sinqerisht që premtimet e tij të realizohen”.
Një tjetër objektiv i Magyar-it është media shtetërore pro-Orban. Kanali televiziv M1 deri më tani ka ndjekur verbërisht linjën e partisë, së bashku me faqe që dikur ishin të pavarura, por që me kalimin e kohës u blenë nga aleatët e Fidesz-it.
Duket se i pasigurt për hapat e radhës, M1 ritransmetoi një fjalim që Magyar kishte mbajtur menjëherë pas përfundimit të votimit. Në atë moment ai ishte optimist për fitoren – por tashmë fjalimi ishte tejkaluar nga ngjarjet: ai kishte fituar.
Hungaria prej kohësh dukej si dy botë paralele. Në njërën, Orban i bindte mbështetësit dhe shikuesit e televizioneve se po shkonin drejt fitores dhe katër viteve të tjera në pushtet, të mbështetur nga sondazhe të realizuara nga institute pranë tij, të cilat edhe të dielën në mbrëmje parashikonin fitore për Fidesz-in.
Në botën tjetër ishte Magyar, që tërhiqte turma të mëdha kudo që shkonte, i mbështetur nga sondazhe serioze që tregonin një epërsi në rritje ndaj rivalit.
Të dielën në mbrëmje, këto dy botë u përplasën – dhe vetëm njëra ishte reale.
Magyar u ngjit ngadalë në skenë mes turmës, i shoqëruar nga kolegët e tij të partisë.
“Sot bëtë një mrekulli, Hungaria sot bëri histori”, u tha ai të pranishmëve, mes thirrjeve “Ria-Ria-Hungaria!”.









