Arigon Sinani, ish-asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, njëherit kandidat për asamble në këtë qytet në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, e ka mohuar se ai e ka bërë audio-incizimin ku Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dëgjohet duke biseduar me biznesmenin Labinot Halilaj, për ndërtime banesash në një prone komunale, e ku përmenden milionat e lejet për mbindërtim.
Në një deklaratë për VOX Kosova, Sinani e ka pranuar, ashtu siç ka thënë Lladrovci, se “po, pjesë e takimit kam qenë”, por thekson se audio-incizimin “s’e kam bërë unë”. “100 për qind jam i sigurt që nuk e kam bërë”, deklaroi Sinani.
Lladrovci, në reagimet e tij, përveç se e akuzoi Sinanin që e ka bërë audio-incizimin, tha se ai është edhe si uzurpator, pikërisht në pronën ku po flitej në audio-incizim, por ish-asamblisti i PDK-së thotë se e shfrytëzon terasën në atë pronë që 20 vjet dhe se paguan tatim.
“Sa i përket uzurpatorit ti mund ta pyesësh Lladrovcin, ai Arigon Sinani që po e quan uzurpator a është e vërtetë që e shfrytëzon si lokal, përpara lokalit e shfrytëzon një terasë që 20 vjet. Që 20 vjet e shfrytëzoj atë tarasë, kam restauruan. Që 20 vjet unë e paguaj çdo vit taksën sa e ka komuna taksën, tarifën për një vjet”, pohoi ai.
“Bashë për atë pronën që flitet, për atë pronë flitet, mirëpo unë atë lokal, unë këtë terasën e shfrytëzoj që 20 vjet”, shtoi, derisa paralajmëroi padi për Lladrovcin.
“Unë jam duke punuar me avokat, kam me i bë padi që më çuan mu uzurpator, përderisa unë e paguaj që 20 vjet s’e besoj që duhet me më quajt uzurpator”.
Kryetari i Drenasit theksoi edhe se ndaj Sinanit “për kërcënim e shantazh ka ndjekje, ndërsa kohë më parë ka edhe shënim zyrtar në Policinë e Kosovës për të njëjtin audio incizim”, por ai mohon që të jetë ftuar nga organet e rendit për një gjë të tillë.
“Unë personalisht kurrë në polici nuk kam qenë, nuk jam kanë që ma lajmëruar Lladrovci. Mua më kanë thirr policia te 92-shi, më kanë marrë në pyetje, mirëpo unë jam në rregull. Jo për audio-incizim, më ka kërcënu që nuk më ndihmon, që nuk u’m ngon çka të tham ke me ma pa sherrin, kam me ta rrëzu me lokal me krejt, për kërcënim unë e kam paditë”, potencoi Sinani.
Lladrovci thotë edhe se audio-incizimi është i cunguar, ndërsa Sinani thotë se të plotë se ish-bashkëpartiaku e ka të plotë.
“Po zotëri Lladrovci e ka incizimin, thuaj ma jep krejt komplet, se ai veç te familja vetë nuk bisedon me dikënd pa e incizu, ai e ka komplet”, deklaroi Sinani, derisa pretendon se për herë të parë audio-incizimin e ka dëgjuar kur është publikuar në VOX Kosova.
Sinani e akuzon Lladrovcine edhe si “shantazhues”. “Ai u mundu mu me më shantazhu”.
“Ai u mundu me shantazh votomi pronat se ta rrëzojë lokalin. Ai u mundu 100 mijë herë me më shantazhu. 100 mijë herë, ato i ka marrë edhe Prokuroria, kam edhe mesazh kërcënues ndaj tij, edhe mesazhin kërcënues e kam që më ka kërcënu”, shtoi.