Ministria e Shëndetësisë ia ka lënë ne dorë të gjitha automjetet e institucionit, një kompanie që për ta marrë tenderin e ka detyruar një person të jap nënshkrim, i domosdoshëm për kompletim të aplikimit.

26 vetura të Ministrisë do të servisohen nga një kompani me emrin “Gani B. Krasniqi – Suzuki” që ka fituar tenderin prej 60 mijë eurove, duke përdorur nënshkrimin e Bujar Gjocajt, inxhinier i elektroteknikës, pa dijeninë e tij.

Gjocaj e pranon edhe vetë në një e-mail se diploma e tij është keqpërdorur dhe se nuk është në kurrfarë marrëdhënie pune me kompaninë fituese.

“Unë nuk kam ndonjë parakontratë me askënd për këtë tender dhe ajo kopje nuk është nga unë”, thotë Gjocaj në e-mail.

Kur kishin kuptuar këtë dallaver, kompanitë konkurrente, ishin ankuar në Ministri.

Këtu tash Gjocaj ndryshon llafet.

Ministria atij i kërkon përgjigje se a i është falsifikuar diploma dhe se a është paraqitur rrejshëm si punëtor i kompanisë fituese.

Gjocaj përgjigjet.

“Deklaroj se kam nënshkruar parakontratë me kompaninë Gani B. Krasniqi – Suzuki”. Konfirmoj se me këtë kompani kemi bashkëpunim kontraktual”.

Por, në një incizim që ka siguruar VOX Kosova Gjocaj përgënjeshtron vetën.

Aty ai e pranon se gjithçka bëri nën presion.

Tani rasti gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit pasi janë ankuar kompanitë e tjera që aplikonin në tender.

Në ndërkohë, kontrollimi i veturave të Ministrisë mbetet të bëhet nga kompania që obligon njerëz për t’ia plotësuar dosjet për tenderim.