Qëndrimi i Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kundër kërkesës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, nuk është i rastësishëm.
Se do të ketë qasje kundër shqiptarëve, Siljanovska-Davkova e kishte paralajmëruar edhe në kohën kur kandidonte për Presidente nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, në prill të 2024-së, ajo kishte propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së, që ishte zhvilluar në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me Komandant Suprem Ali Ahmetin dhe forcave polico-ushtarake maqedonase.
“Unë askënd nuk e kërcënoj. Vetëm rikujtoj se disa vepra të ashtuquajtura vepra kundër njerëzimit asnjëherë nuk vjetërsohen”, kishte deklaruar ndër të tjera Siljanovska Davkova gjatë një tubimi elektoral në Kumanovë.
Ndaj kësaj deklarate, kishte reaguar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai i kishte kërkuar asaj që të mos gërvishte në plagë të vjetra për fushata elektorale.
“Gjërat që lëndojnë dhe gërvishtin mbi plagë të vjetra nuk është mirë të shfrytëzohen për fushatë elektorale. Duhet të jemi të gjitha palët të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në këtë drejtim. Unë disa herë e kam thënë se e kaluara është e dhimbshme, e kaluara nuk duhet kaluar por nuk duhet të na përsëritet”, kishte thënë Ahmeti në prill të 2024-së.
Të hënën e 6 prillit, mijëra studentë shqiptarë në Maqedoni të Veriut të tri universiteteve: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, protestuan në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata thanë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe kërkuan që të ndalet diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve.
Këtë kërkesë ata e mbështetën në ligjin për përdorimin e gjuhëve, sipas të cilit gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut.
“Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase… Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj”, thuhet në nenin 1 të këtij ligji.
Por, kjo nuk e bind Presidenten maqedonase që t’i përkrahë studentët shqiptarë në të drejtën e tyre. Në një intervistë për TV21, Siljanovska-Davkova, duke u përpjekur që ta argumentojë qëndrimin e saj kundër, ka thënë se gjuha juridike ka një peshë të veçantë dhe ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimeve gjyqësore.
“Në të drejtën ekziston nocioni i gjuhës juridike. Të rëndësishme janë saktësia dhe qartësia, sepse nga kjo varet cilësia e vendimit. Është shumë e pazakontë që në nivel kombëtar, në procedurat gjyqësore, të jenë në përdorim disa gjuhë”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Për të është shqetësuese që të krijohen komisione në dy gjuhë për provimin e jurisprudencës. Madje, ajo e paraqiti këtë si diçka të rrezikshme.
“Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, shtoi tutje Presidentja maqedonase.
Dilema kryesore për Siljanovska-Davkovën është gjoja mundësia e keqkuptimeve në procesin juridik. “Frika ime është që të mos gjendemi të humbur në përkthim”, potencoi ajo ndër të tjera.
Ironikisht, Siljanovska-Davkova potencoi se “për studentët është e rëndësishme ta mësojnë të drejtën”, ndërkohë që shprehet kundër të drejtës së studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
Lufta në Maqedoni kishte filluar më 22 janar të vitit 2001, ndërsa kishte përfunduar më 13 gusht të po atij viti.
Përfundimi i luftës kishte ardhur pas marrëveshjes së arritur mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase në atë që njihet si Marrëveshja e Ohrit.
Dokumenti i marrëveshjes, ndër të tjera, ka për bazë zhvillimin e shtetit të Maqedonisë mbi parime të bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.
Lufta në Maqedoni kishte nisur për shkak të keqtrajtimit sistematik që autoritetet maqedonase ua kishin bërë shqiptarëve etnikë përgjatë viteve.









