Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për lirim të parakohshëm.

Një ndër arsyet që Kryeprokurorja Kimberly West, e ka përmendur në kundërshtimin e saj për lirimin me kusht të Veselit është caktimi i 16 shtatorit si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qëndrimi në burg edhe për 2 muaj para vendimit, asaj nuk i duket i gjatë, pavarësisht se Veseli dhe të akuzuarit e tjerë janë që 6 vjet gati në paraburgim.

“Së fundi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose që do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësishtë e nevojshme duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara”, thuhet në letrën e West-it.

Si arsye tjetër, ajo ka përmendur edhe gjoja “klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afrimit të shpalljes së aktgjykimit”.

Dhe “rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, të cilat janë trajtuar më sipër; pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët, periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional”.

Mw 10 korrik, mbrojtja kishte kërkuar që Kadri Veseli të lirohet nga paraburgimi deri në deklarimin e vendimit.

Për avokatët, në një kërkesë drejtuar panelit të gjyqtarëve, rrethanat kanë ndryshuar dukshëm dhe nuk arsyetohet më qëndrimi në paraburgim.

Rasti i krerëve të UÇK-së

Fillimisht, ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas ishte shtyrë për 20 korrik. U shtye sërish. Dhe, përfundimisht u vendos për 16 shtator.

Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Zarë të Kroacisë. Para kësaj janë mbajtur edhe tri të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.