Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, e cila, ndër të tjera, përmban edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Unë do ta respektoj dhe zbatoj Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Zbatimit të vitit 2023”, tha Kurti në një intervistë për France 24.
Kryeministri Kurti, dhe ish-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, kishin arritur Marrëveshjen Bazike për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel më 27 shkurt 2023, dhe më pas për Aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2018.
Por, ajo që nevojitet tani, sipas Kurtit, është që, “së bashku me Beogradin, ta nënshkruajmë këtë paketë të Marrëveshjes Bazë me Aneksin e Zbatimit, si garanci juridike, si dëshmi e vullnetit të mirë dhe si proces i besueshëm e kredibil për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.
Ky proces, Kurti konsideron se “duhet të ketë frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore evropiane”.
“Pra, na duhet një fqinjësi evropiane brenda Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ta bëjmë Ballkanin Perëndimor pjesë të Bashkimit Evropian”.
Ai tha se Kosova do normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.
“Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të, kur ne ishim të okupuar nga Serbia. Kosova është shtet i pavarur, republikë demokratike, dhe sovraniteti shtetëror e integriteti territorial duhet të respektohen”.
Sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë, Kurti theksoi se “aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”.
Marrëveshja mes dy vendeve fqinje e dakorduar në Bruksel/Ohër përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin në atë kohë se kanë gjetur zgjidhjen.
Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.
Por, kur kanë kaluar më shumë se tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket gjëkundi, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.









