Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pyetur nga gazetari, Ermal Panduri, në lidhje me faktin se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka vizituar kurrë asnjërin prej katër ish-Krerëve të UÇK-së të paraburgosur në Hagë. Ish-Presidenti, i është përgjigjur duke thënë se “nuk do që të merret me disponimet dhe sjelljet e të tjerëve”.

Thaçi është pyetur nga Panduri edhe për prezencën e Konjufcës në Gjykatore, në fjalët përfundimtare të dhëna në proces gjatë shkurtit të vitit 2026.

“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, shtoi Thaçi.

Ai ka refuzuar të komentojë qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me Gjykatën Speciale.

“Nuk kam koment”, ka thënë shkurt.

Gjersa, thotë se “nuk deklarohet për situata hipotetike”, në pyetjen nëse do ta priste Kurtin në takim në Hagë.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ishte pyetur në një intervistë në RTK se pse nuk i ka vizituar asnjëherë krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Për këtë jepte arsye banale.

“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, kishte deklaruar Kurti.