Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk do të bëhej ministre në një Qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Natyrisht se do ta analizoja strukturën e kabinetit, mirëpo asnjëherë nuk do të pranoja që të jem unë ministre e Kurtit. As nuk do të pranoj në të ardhmen”, deklaroi Bajrami në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.

Bajrami tha se, megjithatë, do ta votonte një Qeveri të udhëhequr nga Kurti nëse LDK-ja do të arrinte një marrëveshje që do t’i garantonte së paku një të tretën e pushtetit dhe njërën nga pozitat e larta, presidentin ose kryeministrin.

Ndër të tjera Bajrami ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, të thirrur për të mërkurën, më 9 shtator.

E pyetur nëse ka kuptim mbajtja e seancës pas më shumë se 60 ditësh nga certifikimi i rezultateve, ajo tha se në Kosovë “më nuk po ka asgjë kuptim”.

“Tani në Kosovë më nuk po ka asgjë kuptim. Që nga dhjetori i vitit 2024 ne jemi me qeveri në detyrë, jemi me institucione të uzurpuara”, tha ajo.

Ajo foli edhe për buxhetin, duke thënë se Kosova po operon me buxhetin e vitit 2025 dhe se katër ministri nuk figurojnë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.

Sipas Bajramit, pavarësisht kësaj, në këto ministri vazhdojnë të paguhen ministra, zëvendësministra, këshilltarë dhe staf.

“Ne kemi katër ministri që operojnë komplet në mënyrë joligjore”, deklaroi Bajrami.