Blloku i Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke e ruajtur epërsinë kur numërimi i votave po shkon drejt fundit.
Siç raporton The Jerusalem Post, Netanyahu dhe aleatët pritet që t’i kenë 53 ulëse në Knesset (Kuvendin izraelit), ndërsa blloku opozitar pritet që t’i marrë 48 deputetë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Izrael, deri më tani janë numëruar më shumë se pesë milionë vota nga zgjedhjet e së martës.
Të dy blloqet mbetën pa shumicën prej 61 ulësesh të nevojshme në Knesset, nëse nuk sigurojnë mbështetjen e partive arabe, të cilat, sipas numërimit të fundit, kanë fituar së bashku një numër rekord prej 19 ulësesh.
Numërimi zyrtar i votave arriti në 97% të enjten pasdite, ndërsa kanë mbetur pa u përfshirë vetëm votat e hedhura në zarfe të dyfishta.
Këto fletëvotime u mundësojnë izraelitëve që plotësojnë kushtet, përfshirë ushtarët, pacientët në spitale, të burgosurit dhe disa punonjës zgjedhorë, të votojnë jashtë qendrave të tyre të përcaktuara të votimit. Ato mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Sipas numërimit zyrtar, partia Likud e Netanyahut parashikohet të fitojë 27 ulëse, duke u bërë sërish partia më e madhe në Knesset.
Partitë Judaizmi i Bashkuar i Torës dhe Fuqia Hebraike (Otzma Yehudit) pritej të fitonin nga shtatë ulëse, ndërsa Partia Sioniste Fetare dhe Shas nga gjashtë ulëse.
Shumica e sondazheve të publikuara nga televizionet para zgjedhjeve parashikonin që Likud të fitonte dukshëm më pak ulëse, ndërsa partitë e tjera të bllokut të Netanyahut pritej të merrnin më shumë.
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se blloku opozitar, i përbërë nga Yashar, B’Yachad, Yisrael Beytenu dhe Demokratët, do të fitojë 48 ulëse.
Yashar, e udhëhequr nga Gadi Eisenkot, pritet t’i fitojë 21 ulëse. B’Yachad, e drejtuar nga Naftali Bennett, pritet të marr 12 ulëse. Demokratët e Yair Golanit parashikohet të fitojnë tetë ulëse, ndërsa Yisrael Beytenu e Avigdor Libermanit shtatë.
Partia Populli i Izraelit, e Ofer Ëinterit, dhe partia Ekonomia e Rezervistëve, e Yoaz Hendelit, me gjasë nuk do ta kalojnë pragun zgjedhor prej 3.25 për qind. Kjo mund t’ia vështirësojë më tej bllokut të Netanyahut sigurimin e shumicës.
Pavarësisht rezultateve, mundësia e formimit të një qeverie të unitetit mes Netanyahut dhe Eisenkotit është e vogël, shkruajnë mediat izraelite. Eisenkot ka refuzuar të shërbejë në një qeveri të udhëhequr nga Netanyahu, përfshirë edhe një qeveri me rotacion të kryeministrit. Edhe liderë të tjerë të opozitës kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit në një koalicion të drejtuar nga Netanyahu.
Ngërçi politik mund të çojë përfundimisht në zgjedhje të reja, megjithëse partitë mund të arrijnë ende një marrëveshje përmes negociatave për koalicionin.
Sipas ligjit, presidenti duhet të konsultohet me grupet parlamentare të Knessetit para se të vendosë se kujt do t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, u bëri thirrje të mërkurën liderëve politikë që t’u qasen negociatave për koalicionin me mendje të hapur, duke paralajmëruar se Izraeli duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhje të tjera.
“Duhet të kuptohet një gjë, të cilën e thashë edhe para zgjedhjeve: duhet të bëjmë gjithçka, veçanërisht pas ditës së djeshme, për të shmangur një raund tjetër zgjedhjesh”, tha ai. “Prandaj, pres që të gjithë ata që vijnë këtu të vijnë me mendje të hapur”, shtoi Herzog.
Ai iu referua konsultimeve që pritet të zhvillohen në Rezidencën Presidenciale.
Golan konfirmoi të mërkurën se të enjten do të takohej me tre liderë të opozitës. Në një intervistë për Channel 12, ai refuzoi t’i identifikonte ata.
Më herët, të mërkurën në mëngjes, Golan i bëri thirrje bllokut opozitar të formonte qeveri me partitë arabe. Ai tha se Netanyahu i kishte humbur zgjedhjet, duke marrë rreth 55 ulëse, krahasuar me 65 të opozitës, përfshirë partitë arabe.
“Netanyahu humbi”, shkroi Golan në rrjetet sociale. “Unë di të numëroj deri në 120. Gjashtëdhjetë e pesë është më shumë se 55. Kështu funksionon demokracia izraelite. Pikë”.
“Nuk kemi të ardhme këtu nëse nuk ndalojmë së pasuri frikë… Nuk duhet ta pranojmë më ndarjen raciste të Netanyahut mes votave hebraike dhe votave arabe”, shtoi ai.
Të gjithë liderët e tjerë të partive opozitare kanë deklaruar se përfshirja e partive arabe në qeveri përbën vijë të kuqe për ta, pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023.
Eisenkot ka kërkuar që lideri i partisë më të madhe në bllokun opozitar të bëhet kandidati i këtij blloku për kryeministër, megjithëse brenda opozitës nuk është njoftuar asnjë marrëveshje për këtë çështje.
Të martën në mbrëmje, ai shpalli fitoren e bllokut opozitar pasi sondazhet pas daljes nga vendvotimet treguan se Yashar ishte në epërsi. Më vonë gjatë asaj nate, edhe Netanyahu mbajti një fjalim për fitoren, pasi numërimi i votave tregojë një epërsi të qartë të bllokut të tij.
Ngërçi politik ka ngritur gjithashtu mundësinë e formimit të një qeverie të pakicës, e cila mund ta fitonte votëbesimin në Knesset pa pasur shumicën absolute prej 61 ulësesh. Në këtë skenar, partitë arabe mund të pajtoheshin ta mbështesnin bllokun opozitar.
Përfaqësues të partive arabe kanë thënë se duhet bërë gjithçka që është e mundur për ta penguar Netanyahun të mbetet në pushtet.
Kundërshtimet brenda opozitës ndaj mbështetjes te partitë arabe mund ta vështirësojnë një marrëveshje të tillë. Liberman e ka kundërshtuar hapur këtë mundësi edhe para zgjedhjeve.









