Ligji për Gjykatën Speciale do të dërgohet ashtu siç është dhe të miratohet në Kuvend, pastaj do të amendamentohet.

Kështu ka thënë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në Komisionin për Legjislacion, e cila ka kërkuar rrëzimin e vetos së Presidentes për këtë ligj.

Ajo ka thënë se kanë pasur negociata me Lëvizjen Vetëvendosje. Janë dakorduar që ta kalojnë Ligjin, por nuk janë dakorduar që të bëhen ndryshimet tani.

“Gjatë këtyre ditëve PDK-ja, si parti sponsorizuese e këtij ligji, ka pasur negociata politike me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Megjithatë, unë dua të bëj të qartë që nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligjin”, tha Deliu-Kodra.

“Kemi pasur interpretime të ndryshme të cilat i kemi diskutuar me kolegët e shumicës parlamentare sa i përket rregullores së Kuvendit. Ne kemi besuar që është e mundur që mund të bëhet amendamentimi i Ligjit në këtë fazë, kurse shumica parlamentare ka konsideruar dhe e ka interpretuar rregulloren në atë mënyrë që nuk lejohet në këtë fazë të bëhet amendamentimi i ligjit”.

Situata aktuale, Deliu-Kodra pohoi se është që duhet ta procedojnë ligjin në Kuvend në formën siç është, “pastaj ne do të nisim një proces të ri të amendamentit të ligjit bashkë me kolegë deputetë të parlamentit të Kosovës”.

“Pra, për ta qartësuar edhe njëherë. Do të votohet në Kuvend ky version i Ligjit që e kemi sot në përputhje me nenin 84 të rregullores së Kuvendit. Duhet 61 vota për ta votuar ligjin dhe po ashtu për ta rrëzuar veton e Presidentes”.

Ligji për Gjykatën Speciale ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, ai ligj, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, u kthye në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, për rishqyrtim.

Ligji ishte iniciuar nga PDK-ja pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim gjithsej krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.