Nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thënë se protesta kundër Gjykatës Speciale që u mbajt këtë të diel në Strasburg të Francës ishte ashtu siç e kishin planifikuar, derisa janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen e protestuesve.
“Ka qenë një protestë bash ashtu siç e kemi menduar ne si Këshill Organizativ. Masa ka qenë e kënaqshme, unë dua t’i falënderoj edhe njëherë qytetarët e gjithë viseve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi që sot zbarkuan në Strasburg para Parlamentit të Evropës”, ka thënë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një intervistë në Klan Kosova.
Ai theksoi se protestuesit e ngritën zërin kundër “një padrejtësie që po ndodh”. “E ngritën zërin pikërisht para këtyre deputetëve të Këshillit të Evropës, që e ka bë një rezolutë”, potencoi Gucati, duke iu referuar rezolutës famëkeqe të miratuar në vitin 2011, e hartuar nga senatori zviceran, Dick Marty.
Ai i falënderoi mërgimtarët që u bashkuan në protestë. “Mërgata është oksigjeni i Kosovës, mërgata është ajo që edhe para edhe gjatë luftës ka qenë mbështetëse ndaj vendit të vet dhe në mbështetje të çlirimtarëve”, deklaroi ndër të tjera.









