Çlirim Haziri, organizator i protestave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj përfaqësuesve politikë dhe institucioneve të vendit, duke kërkuar prej tyre veprime konkrete pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Duke folur para protestuesve, Haziri tha se mungesa e veprimeve konkrete nga politika po e shton përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë.
“Nuk po ju shohim, o politikanë! Nuk po ju shohim! E as nuk kemi dalë këtu për t’ju parë juve, por mos e trashni turpin! Sepse çdo ditë që kalon pa veprim, përgjegjësia e juaj bëhet më e madhe! Prej deputetit të fundit në Parlament të Kosovës e deri te kryeministri! Sot, në institucionet e Kosovës së lirë, përgjegjësinë që e mbani dhe e ushtroni në një shtet për të cilin është derdhur gjak, jeni ju ata që e mbani përgjegjësinë!”, tha Haziri.
Kërkesa e protestuesve tashmë është konkretizuar edhe në Kuvend, ku po kërkohet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 21 shtator projektligjin për ndryshimin e këtij ligji, ndërsa më 25 shtator iniciativa është dërguar nga Kuvendi në Qeveri për opinion.
Ndërkohë, protestat në sheshin “Skënderbeu” po vazhdojnë tash e 11 net radhazi, me qytetarët që kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe veprime institucionale lidhur me Ligjin për Specialen.









