Ka përfunduar takimi që zgjati më shumë se tri orë mes Kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit para mediave tha se nuk ka marrëveshje.

“Për PDK-në, është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i Ligjit dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për Presidenti. Deri tash nuk është që kemi marrëveshje”, tha Hamza.

E qëndrime tjera ka Vetëvendosje. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se më e rëndësishme është të votohet së pari për Presidentin, e më pas të diskutohet më gjerësisht ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Takimi Hamza – Kurti nisi në orën 16:30 të pasdites së kësaj të premte(2 tetor). Temë diskutimi, siç dihet nga deklarimet paraprake të dy liderëve, ishte çështja e Presidentit dhe votimi i ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Partitë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë kohë që deri më 6 tetor të zgjedhin Presidentin, në të kundërtën, Kosova shkon në zgjedhje.