Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve të 7 qershorit, ende nuk i ka nisur diskutimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve.
Edhe të mërkurën, ai deklaroi, sikurse në ditët e kaluara, se po pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, ndonëse bëhet fjalë për një proces kryesisht teknik, për të filluar diskutimet me partitë e tjera.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve. Certifikimi i rezultateve duhet të presë trajtimin e ankesave, e më pas, pa humbur kohë, do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli rezultatet përfundimtare të shtunën, ndërsa tani pritet trajtimi i ankesave të subjekteve politike dhe kandidatëve, në mënyrë që t’i hapet rrugë certifikimit të rezultatit përfundimtar.









