Në ditën kur në rrjetet sociale qarkulluan fotografi nga Klinika e Pediatrisë në QKUK, ku shihen shtretër pa çarçafë të pastër, të gjakosur, e dhoma klinikash pa kushtet elementare, dhe kur debati për gjendjen në shëndetësi vazhdon, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të ndajë një tjetër lajm, këtë herë për një rekord të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kurti ka bërë të ditur se Trusti ka realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke e cilësuar këtë si rezultatin më të lartë investues në historinë e institucionit.

Ai ka përgëzuar Bordin dhe menaxhmentin e Trustit, duke e cilësuar rezultatin dëshmi të qeverisjes së mirë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë institucionale.

Por, ky rekord vjen në një kohë kur Kosova, sipas renditjes së publikuar nga WorldAtlas, e bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë, pas Moldavisë.

Sipas Kurtit, nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, Trusti ka realizuar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet, ndërsa vlera e përgjithshme e Fondit të Kursimeve Pensionale ka arritur në 4 miliardë e 245 milionë euro.

Postimi i tij vjen në një periudhë kur vëmendja publike është përqendruar te gjendja në institucionet shëndetësore, kostoja e lartë e jetesës dhe sfidat ekonomike me të cilat përballen qytetarët, duke bërë që suksesi i Trustit të kontrastohet me problemet e përditshme që dominojnë debatin publik.