Partia Demokratike e Shqipërisë ende nuk ka qëndrim zyrtar ‘po ose jo’ në lidhje me protestën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, thirrur më 17 tetor në Tiranë, ka bërë të ditur për VOX Kosova, deputeti i kësaj partie, Belind Këlliçi.
“Deri më tani nuk ka asnjë qëndrim nga ana e Partisë Demokratike për protestën, as kundër dhe as pro”, ka thënë Këlliçi.
Protesta që është thirrur në Tiranë më 17 tetor është një organizim i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Kosovë dhe ka për qëllim të bëj thirrje për drejtësi në procesin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ndryshe nga blloku opozitar, partia që udhëheq me Shqipërinë, ajo Socialiste, ka konfirmuar mbështetjen për këtë protestë. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Ballës, ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.
“Po patjetër. Unë do të marr pjesë”, ka thënë Balla në një përgjigje për VOX Kosova.









