Qeveria u dorëzua para kërkesave të punëtorëve të RTK-së dhe pas presionit publik. Paradite refuzuan përgjegjësinë për situatën, por tash e pranuan se janë fajtorët. Situata është kristal e qartë.

RTK-ja është kapur nga pushteti përmes Rilind Gërvallës, shërbëtor i Dejona Mihalit, e cila duhet të sqarojë edhe raportet e saj me Greqinë. Ky formacion para-politik jo vetëm që ua mohon pagat gazetarëve, por edhe dinjitetin.

Sheshazi duket që ky grup banditësh, jo veç që po ua pi djersën gazetarëve, jo vetëm që po i lë familjet e tyre në mëshirën e krizës mos-falëse ekonomike, por edhe po i terrorizon me intimidim e kërcënim.

Që nga mëngjesi, i gjithë ekipi i VOX po përpiqemi të gjejmë qoftë edhe një gazetar të RTK-së për të folur se nuk kanë marrë pagë qe 45 ditë. Vetëm Blerim Haxhiaj u përgjigj – i cili, përveç pagës, merr edhe grante nga qeveria, në këmbim të rolit të tij si facilitues i intervistave të kurdisura nga Vetëvendosje, ku pyetjet shkruhen në Zyrën e Mediave të Partisë, e jo nga gazetari.

Shumë gazetarë dhanë arsyetime, por të paktët pranuan të vërtetën: heshtja u është imponuar nga lart.

Ndërkohë, pasi u bë publike se punëtorët e RTK-së po organizojnë protestë, në një veprim që do të kompleksonte edhe Orwell-in, redaksia e RTK-së ua fshiu lajmin për protestën.

Është e qartë se Vetëvendosje po do të krijojë në RTK një laborator për eksperimente ku gazetarët, nga simboli i guximit publik, reduktohen në hije që nuk guxojnë të shikojnë në sy as të vërtetën, as popullin, as veten.