Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim lidhur me çështjen e dekretit të Presidentes, duke e shpallur atë pa efekt juridik dhe duke vendosur afate të qarta për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sipas aktgjykimit, kërkesa është shpallur e pranueshme, ndërsa është konstatuar se Dekreti nr. 24/2026 i datës 6 mars 2026 nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Gjykata ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, kanë në dispozicion 34 ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Tutje, në vendim theksohet se nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin brenda këtij afati, atëherë ai shpërndahet automatikisht në bazë të Kushtetutës, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Gjykata po ashtu ka bërë të ditur se vendimi për masë të përkohshme i datës 9 mars 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.









