Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Vetëvendosja për buxhetin.

Seancën, që pritet të fillojë pas pak minutash, Zemaj e ka konsideruar si një “mjet të zakonshëm politik” të VV-së, e cila, sipas tij, po e përdor për të “provuar trenin e fundit” për të fshehur faktin e mungesës së numrave.

LDK-ja, thotë Zemaj, nuk do të bëhet pjesë e “krizave të fabrikuara” nga VV-ja.

“LDK-ja refuzon mënyrën e papërgjegjshme që VV-ja po tenton t’i përdorë institucionet si instrument të lojërave të saj”, tha ai.

Po të kishte vullnet për krijimin e një shumice parlamentare, deputeti i LDK-së konsideron se konsultimet do të ishin bërë me kohë.

“LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00. Kjo që po ndodhë nuk është asgjë tjetër vetëm lojë e VV-së. Sot besojmë se në orën 14:00 manovrave të LVV-së do t’u vije fundi”, shtoi.

Edhe partitë e tjera të ish-opozitës – PDK, AAK e NISMA – kanë bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga VV-ja për buxhetin.