“Është vërtetë lojë me ndjenja të shqiptarëve, të patriotëve sjellja e tillë e Kurtit edhe loja e tij edhe me nerva të njerëzve me këto kushtëzimet e tij për këtë ligj”, ka thënë ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, duke komentuar kushtëzimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për votimin në lexim të dytë të Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Më lejoni me iu thanë që kam në dorë një dokument e ky është Ligji për Dhomat e Specializuara. Ky Ligj është i 91 deputetëve i Aleancës po se po, i PDK-së i VV-së, por edhe e komuniteteve joserbe. 91 deputetë të vendit e kanë votu këtë Ligj. E ka votu edhe VV, e cila e ka edhe ish-shefin e grupit parlamentar në burg”, tha Haradinaj.
Nuk ka asgjë morale në këtë që po e bën ai, thekson ai, as kombëtare, “por as njerëzore loja e tij prej orës në orë, prej konferencës në konferencë me ligjin që është i 91 deputetëve që është edhe i deputetëve të vetëvendosjes që e kanë votu me nder në lexim të parë është e pandershme me e lanë në gjysmë”.
Të gjitha temat e tjera, ai thotë se kanë rëndësi dhe se nuk e mohojnë rëndësinë e tyre, “por nuk ka asnjë logjikë me u tall kështu me ba lojëra të tilla me këtë ligj”.









