Themelimi i një aviokompanie kombëtare të Kosovës është një nga projektet për të cilat kryeministri Albin Kurti ka folur vazhdimisht, ndërsa tani thotë se ky projekt është përfshirë për herë të parë në buxhetin e shtetit për vitin 2027.

Kurti e bëri këtë të ditur në mbledhjen e Qeverisë, ku u miratua buxheti për vitin e ardhshëm.

“Për herë të parë, me këtë buxhet është paraparë edhe themelimi i aviokompanisë kombëtare, e cila do të shërbejë për më shumë linja për bashkatdhetarët tanë, por edhe si mjet i promovimit të vendit për mërgatën tonë, anekënd aeroporteve ku aeroplanët me logon e shtetit tonë do të aterojnë”, deklaroi Kurti.

Ndërsa Qeveria parasheh themelimin e një kompanie ajrore kombëtare, kadetët e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës po përballen me mungesë të pajisjeve elementare të uniformës, përfshirë kapelat.

Siç raportoi VOX Kosova, përmes komunikimeve të brendshme zyrtarëve policorë u është kërkuar që kapelat e tyre t’ua huazojnë kadetëve për ceremoninë e diplomimit.

Ceremonia, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 30 tetor, është shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për kadetët.

Kadetët ndërkohë janë njoftuar se ceremonia e diplomimit pritet të mbahet më 6 nëntor.