Nenad Rashiç ka dështuar për herë të tretë që të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai mori 56 vota për, asnjë kundër dhe 21 abstenime.
Pro Rashiçit votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa të komuniteteve jo shumicë. Ata të PDK-së abstenuan, ndërsa LDK-ja s’mori pjesë fare në votim.
Kryeparlamentari, Dimal Basha, tha se si Kuvend nuk kanë mundësi tjetër të vazhdojnë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti jo shumicë serb, për shkak se të gjithë deputetët serb dështuan në votim nga tri herë.
“Prandaj, në këtë rast, konsideroj që kemi ezauruar edhe pikën e 4 të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive si të procedohet tutje, konsideroj se kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, tha Basha.
Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga nënkryetarët e Kuvendit “nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“Pas përmbylljes së seancës konstituive konsideroj që Kuvendi i Kosovës duhet të vazhdojë punën siç parashihet me Kushtetutë, ndërkaq se si të veprohet tutje në lidhje me punën tonë si Kuvend konsideroj se do t’i konsultojmë anëtarët e zgjedhur tanimë të Kryesisë së Kuvendit. Mbledhje kjo që do të mbahet të hënën”, ka shtuar ai.









