Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk mund të reflektohet menjëherë në çmimet e derivateve në Kosovë.
Sipas saj, kjo lidhet me mënyrën e furnizimit dhe formulën e përllogaritjes së çmimit në tregun vendor.
Kusari-Lila ka thënë se çmimi i derivateve në Kosovë përcaktohet nga mesatarja e çmimit të dhjetë milionë litrave të importuara, të cilës më pas i shtohet marzha e fitimit e lejuar me rregullore.
“Çmimi i naftës në Kosovë përcaktohet sipas rregullores së MINTI-t. Ai bazohet në çmimin mesatar të dhjetë milionë litrave të importuara dhe më pas i shtohet marzha e fitimit për operatorët”, ka deklaruar ajo për KosovaPress.
Ajo ka thënë se krahasimi i çmimeve në bursat ndërkombëtare nga një ditë në tjetrën me çmimet në Kosovë nuk është i saktë, pasi furnizimet bëhen me porosi dhe negociime paraprake.
“Derivatet që vijnë kryesisht përmes portit të Durrësit janë blerë dhe negociuar disa ditë më herët, ndaj duhet kohë derisa ndryshimet në tregjet ndërkombëtare të reflektohen në tregun tonë”, ka shtuar Kusari-Lila.
Ministrja në detyrë ka bërë të ditur se MINTI ka ndërmarrë masat që i lejon baza ligjore për të parandaluar abuzimet me çmimet, ndërsa ka theksuar se kompanitë vazhdojnë të kërkojnë heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.
“Kemi kërkesa të vazhdueshme nga operatorët ekonomikë që të hiqet kufizimi i marzhës së fitimit, në mënyrë që të kenë fitime më të mëdha. Ne po i analizojmë këto kërkesa”, ka deklaruar ajo.
Sipas Kusari-Lilës, importi i naftës dhe derivateve është rritur ndjeshëm dhe, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, pothuajse është dyfishuar në baza ditore.
Ajo ka thënë se synimi i ministrisë është të ruajë balancën mes mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimit të operatorëve ekonomikë.
Ndryshe, çmimi i naftës në tregjet globale është ndikuar edhe nga tensionet rreth Gjirit të Hormuzit, një prej pikave më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimeve globale me naftë.









