Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se është e pamundur që Qeveria e Kosovës të pengojë kompaninë serbe EFT të marrë pjesë në ankandet për kapacitete të energjisë elektrike.
Ajo u pyet nga VOX Kosova se pse, ndonëse kryeministri në detyrë Albin Kurti ka qenë pesë vjet në pushtet, nuk ka arritur ta ndalojë biznesmenin serb Vuk Hamoviç nga fitimi i miliona eurove përmes kësaj kompanie.
“Ekziston një qendër rajonale, SECAO, që e përmenda më herët, e cila ka selinë në Mal të Zi. Anëtarë janë të gjitha shtetet e rajonit dhe ndër aksionarët është edhe KOSTT-i i Kosovës. Aty miratohen rregullat e përbashkëta se si zhvillohen ankandet. Në kohën kur kryeministri dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë folur atëherë, kanë qenë duke u trajtuar kompanitë që operonin në Kosovë. Për më tepër, nuk ka qenë fjala për ndërmarrje publike apo private të Kosovës. Madje, kolegu Armend Muja, siç tregoi para disa ditësh, ka sqaruar se me kontrata njëburimore, siç i quajnë partitë opozitare, dikur ishte blerë nga një kompani në Serbi”, tha Rizvanolli.








