Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë arsyetimin e saj për caktimin e 30 ditëve të paraburgimit për Gani Gecin, i cili ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj.

Gjykata thotë se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, pasi vlerëson se ekziston rreziku konkret që Geci ta përsërisë veprën penale nëse lihet në liri.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri të përsërisë veprën penale apo të kryejë veprën penale me të cilën ka kanosur. Gjithashtu, gjykata vlerëson se rreziku është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të këtij rasti. Në këtë drejtim, gjykata ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtjen dhe intensitetin e kërcënimeve, si dhe sjelljen e të pandehurit pas ngjarjes”, thotë Gjykata Themelore.

Gjykata e vulos këtë vendim me argumente shtesë.

“Gjykata vlerëson se, nëse i pandehuri lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese, mund të tentojë të kontaktojë sërish të dëmtuarin L.M., të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar”, thuhet në njoftim.

Avokati i familjes Geci, Besnik Berisha, e ka kundërshtuar këtë vendim.