Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, e ka pranuar se ka pirë duhan brenda lokalit “Dio” në Pejë, pasi fotografia e tij duke konsumuar cigare u publikua në portale.

Në një reagim në Facebook, Baloku ka dhënë një arsyetim për veprimin e tij, duke thënë se në atë lokal pothuajse të gjithë po pinin duhan.

“Pra, nëse 49 qytetarë po pinin, edhe unë e ndeza një cigare si i 50-ti”, ka shkruar ai.

Baloku ka thënë se me kënaqësi qëndron në ambiente ku nuk pihet duhani, por ka pretenduar se nuk e di nëse në Pejë ka ndonjë lokal ku respektohet kjo.

Ai gjithashtu ka pretenduar se fotografinë e kanë bërë militantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët, sipas tij, qëndrojnë këmbëkryq në të njëjtin lokal.

“Pra, më shumë sinqeritet dhe më pak hipokrizi!”, ka përfunduar deputeti i VV-së.