Mbreti i Belgjikës, Philippe, po shqyrton dorëheqjen e kryeministrit Bart De Wever, pasi ky i fundit ofroi të largohej nga posti pas dështimit të përpjekjeve të qeverisë së tij të koalicionit për të gjetur marrëveshje lidhur me mbulimin e një deficiti buxhetor prej 10 miliardë eurosh, raporton Politico.

Në një përpjekje të minutës së fundit për të arritur marrëveshje për buxhetin e vitit të ardhshëm, zyrtarë të lartë të qeverisë së De Weverit, e përbërë nga 5 parti, u mblodhën gjatë fundjavës, por u larguan pa marrëveshje në orët e para të mëngjesit të së hënës. E marta shihej gjerësisht si afati jozyrtar për arritjen e një marrëveshjeje, pasi buxheti duhet të miratohet ende në parlament para fundit të vitit.

Gjatë negociatave, De Wever synonte t’u dëshmonte tregjeve financiare se Belgjika është në rrugën e duhur për të përmbushur detyrimet e saj evropiane. Në vitin 2025, Belgjika kishte një deficit prej 5.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili pritet të rritet edhe më tej vitin e ardhshëm.

Pasi De Wever ofroi dorëheqjen të hënën në mëngjes, pallati mbretëror njoftoi se mbreti po e “shtyn vendimin” dhe se “nesër do të nisë konsultimet me liderët e partive të partnerëve të ndryshëm të koalicionit”. Në njoftim thuhej gjithashtu se mbreti “u bën thirrje të gjithëve që të tregojnë përgjegjësi dhe i nxit të gjitha palët e përfshira që interesin e përgjithshëm dhe frymën e kompromisit t’i vendosin në radhë të parë”.

Kryeministri pritet të takohet sërish me Mbretin të premten.

De Wever kishte përjashtuar mundësinë që viti i ri të niste me një buxhet të përkohshëm, i cili do t’i mundësonte qeverisë të vazhdonte të funksiononte me të njëjtin buxhet si vitin e kaluar.

Negociatat për buxhetin kanë vazhduar prej javësh, ndërsa tensionet janë shfaqur kryesisht mes socialistëve flamandë të partisë Vooruit dhe qendrës së djathtë frankofone, Lëvizjes Reformiste.

Të parët kërkuan kontribute më të mëdha nga personat me të ardhurat më të larta, përmes taksave, ndërsa të dytët e kundërshtuan këtë propozim dhe dolën kundër një reforme më të gjerë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

“Ende kishte shumë e shumë taksa në tryezë”, u tha gazetarëve David Clarinval, zëvendëskryeministër nga Lëvizja Reformiste, pas ndërprerjes së negociatave. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që diskutimet të rifillojnë gjatë së martës.

Edhe në nëntorin e kaluar, negociatat për buxhetin në Belgjikë kishin vazhduar përtej afatit të paraparë. Në atë rast, De Wever nuk kishte ofruar dorëheqjen, por i kishte kërkuar mbretit Philippe zgjatje të afatit për negociatat buxhetore. Mbreti ia kishte dhënë edhe 50 ditë shtesë për të arritur marrëveshje.

Nëse Belgjika shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, vendi mund të orientohet drejt partive ekstreme, me partinë e ekstremit të djathtë Vlaams Belang dhe atë të ekstremit të majtë, Partinë e Punëtorëve, që po shënojnë rezultate të mira në sondazhe.