Në 48 lokacione në veri, institucionet e sigurisë kanë gjetur një numër të konsiderueshëm të armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media tha se janë gjetur gjithësej 72 copë armë. Të njëjtat përfshijnë dy mitrolezë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, 9 pistoleta, 1 pushkë ajrore, 7 granata dore, 2 detonatorë elektrikë, mjete piroteknike, 4 mijë e 831 fishekë e uniforma të shumta ushtarake të policisë e ushtrisë së Serbisë.

Ministri i Punëve të Brendshme në anën tjetër, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi është kapur afër zonave ku janë gjetur mbetje mortore në të cilat dyshohet se ka varrezë masive.

“Ky arsenal armësh e mucionesh e pajisjeve ushtarake është gjetur përreth fshatrave afër Kalludrës së Zubin Potokut. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar eshtra të 23 personave”, tha Sveçla.