Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është përplasur me gazetaren në momentin që është pyetur pse nuk po merr pjesë në protestat kundër verdiktit të Gjykatës Speciale e cila dënoi me 81 vjet burg, krerët e UÇK-së. Ajo, i është drejtuar gazetares me fjalët “të jap përgjigjen kur je më e sjellshme”, pas insistimit që të marrë një përgjigje për faktin pse ajo nuk po merr pjesë në protestë.

“Sepse ne drejtojmë sot institucionet e Republikës së Kosovës. Nëse më mbani mend unë pata dalë njëherë në një protestë si Ministre e Drejtësisë. Sa kritikat m’i keni bërë…”, tha Haxhiu.

Pasi gazetarja insistoi në përgjigje duke i thënë se protesta është qytetare, Haxhiu tha se “unë mbështes protestat qytetare. Do të shqetësohesha nëse pas vendimit në Hagë nuk do të kishte protesta”, sërish, duke mos treguar arsyen e mungesës së saj aty.

“Mos e ngrini zërin. E merr përgjigjen kur je më e sjellshme. Vazhdo me bërtit”, iu drejtua Haxhiu, gazetares.