Shaip Kamberi, bartës i listës së “Koalicionit Shqiptar”, ka thënë se shqiptarët kanë fituar dy deputetë në Parlamentin e Serbisë dhe se janë në garë për të tretin.

“ARRITJE HISTORIKE! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin!”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Sipas rezultateve preliminare, Kamberi theksoi se “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27 mijë e 230 vota, “që me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash”.

Ai theksoi se ky është “rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”.

“Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij”.

“Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona”.

Sipas rezultateve preliminare, zgjedhjet në Serbi i ka fituar Lista e Studentëve, që shënon edhe fundin e pushtetit të Aleksandër Vuçiç-it pas 14 vjetësh.

Këtë të diel, në Serbi u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku votuan rreth 70 për qind e qytetarëve.