Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, është dorëzuar te autoritetet maqedonase mëngjesin e së hënës në pikën kufitare në Bllacë, pas një periudhe arratie për më shumë se një vit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se pas dorëzimit, Grubi është arrestuar dhe ndaj tij kanë filluar procedurat e mëtejme.
“Sot (23.02.2026) në orën 06:10, në pikën kufitare Bllacë, në hyrje të shtetit, është privuar nga liria Artan Grubi (48), i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për zhvillimin e hetimeve lidhur me veprën penale sipas nenit 354 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal”, kanë thënë nga MPB-ja e RMV-së.
Grubi përballet me akuza për korrupsion për rastin e Lotarisë Shtetërore.
Grubi, një ish-zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, në dhjetor të vitit 2024, ishte shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion.
Ai ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut pasi që autoritetet maqedonase kishin lëshuar fletarrest ndaj tij në dhjetor të vitit 2024.









