Me gjasë keni harruar kur keni parë Albin Kurtin si kryeministër të përballej në studio televizive për qeverisjen e tij.

Prej se është zgjedhur në krye të ekzekutivit për herë të dytë, Kurti ka shmangur përballjet televizive.

Ai është parë kryesisht në intervista në televizione lokale, me pyetje për tema krejt periferike.

Ka shkuar edhe në RTK, ku sfidimi me pyetje mbi premtimet e tij të dikurshme dhe gjendjen në vend ka lënë shumë për të dëshiruar.

Kurti, që si opozitar nuk linte hapësirë pa e shfrytëzuar për ta shpërndarë diskursin e tij politik agresiv, tash është arratisur në hapësira ku ai e kontrollon narrativën. Shfaqet në takime e konferenca ku zhvillon monolog.

Kjo ikje e Kurtit nga debatet televizive dhe intervistat që shkojnë në thelb të problemeve, përveç se një strategji e tij për ta kontrolluar propagandën, tregon edhe njëfarë frike nga përballja me të vërtetën e qeverisjes së tij.

Gjendja e rënduar ekonomike nga mungesa e investimeve kapitale serioze, hetimet dhe aktakuzat për korrupsion kundër ministrave të tij, shëndetësia në situatë të rëndë me menaxhim kaotik e mungesë barnash, energjia në kolaps që është bërë arenë përfitimesh për oligarkë serbë, si dhe shpërngulja e popullatës në Evropë për jetë më të mirë janë vetëm disa nga temat nga të cilat Kurti ka ikur.

Në vend të përgjigjeve për këto çështje, ai ka zgjedhur tribunat me militantë, prej nga shpërndan etiketa se kush është patriot e kush bashkëpunëtor i Serbisë.

Në një demokraci funksionale, udhëheqësit e matin forcën e tyre përballë pyetjeve të vështira, jo para turmave të veta. Shmangia e debatit nuk e fsheh gjendjen reale të qeverisjes; përkundrazi, vetëm sa e bën edhe më të dukshme.