Familjarët e Fitore Pacollit tentuan t’i marrin sërish 100 mijë nga shtetit. Por, kësaj radhe u kapën në mashtrim.

Dokumenti zyrtar që e ka siguruar Vox Kosova hedh dritë mbi tentimin e Fitim Pacollit, vëllait të deputetes së VV-së, që përmes mashtrimit të përfitojë 100 mijë euro tjera nga Ministria e Bujqësisë.

Për ta realizuar planin e tij, Fitim Pacolli në dosjen që e çoi në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në thirrjen për grante, futi dokumentet e parcelës me të cilën vëllai i tij kishte përfituar paraprakisht 100 mijë euro.

Për ta thjeshtësuar, Fitim Pacolli aplikoi ta përfitojë këtë shumë nga shteti për ta ndërtuar një fermë për 50 viça, në tokën e vëllait tjetër, Blerim Pacollit, aty ku ky i fundit kishte përfituar grant për ndërtimin e stallës dhe lopë qumështore.

Siç sqaron dokumenti:

“Aplikuesi ka bashkangjitur në dosje, ku planifikohet investimi, Certifikatën e Pronësisë dhe Informimin të lëshuar nga komuna në emër të Blerim Pacollit, mirëpo parcela është një ndër parcelat me të cilat Blerim Pacolli në programin 2023 ka përfituar grant për ndërtimin e stallës dhe lopë qumështore në vlerë prej 97 mijë e 392 euro”.

Po gaboheni nëse mendoni që tentim-mashtrimi mbaron me kaq.

Fitim Pacolli në planin e biznesit në aplikim ka paraqitur si pjesë të ekonomisë familjare prindërit e tij, njësoj siç kishte vepruar Blerimi.

Kjo nënkupton, edhe me dokument, edhe zyrtarisht, që këta janë një ekonomi familjare.

Pra paret e shtetit, përfitohen nga familja e Fitore Pacollit si tërësi, jo si individë fermerë që kanë një plan të qartë të realizimit të ndonjë projekti në blegtori.

Neni 25, pika 1.5, e Udhëzimit Administrativ ishte baza ligjore përmes së cilës u refuzua aplikimi.

Ky nen flet për rastet kur refuzohet një projekt, dhe pika 1.5 që e ka përmendur AZHB në rastin e Fitim Pacollit flet për mashtrim.

Fitim Pacolli në një bisedë me Vox Kosova na tha se arsyet e refuzimit të aplikimit të tij janë tjera, e lidhen pikërisht me faktin se motra e tij është deputete.

“A din pse mu ka refuzu mu? Gjasat janë nëse je fermer, don me apliku edhe e ki dikon që punon është deputet ose diçka, paraprakisht për qat arsye po të refuzohet. Po kjo është padrejtësi a po kupton qysh?

“Mu s’po më intereson që ma kanë refuzu se s’jom met unë në 60 mijë euro përkrahje për me e bo një projekt, se muj me e bo edhe vet”.

Përgjigje kërkuam edhe nga deputetja Fitore Pacolli, por kjo e mbylli telefonin. Kërkoi që t’i shkruajmë, por kur e pyetëm, nuk u përgjigj.

Refreni është i njëjtë. 100 mijë për vëllain, 100 mijë për dajën, 52 mijë për burrin.

Këto janë shumat që dihen.

Dhe me gjasë, ne akoma dimë shumë pak për ta.