Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është drejtuar publikisht Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke i kërkuar që gjatë vizitës së tij në Kosovë të diskutojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes.

Në reagimin e saj, AGK thekson se Kosova ka shënuar rënie të lirisë së medias në vitet e fundit, gjë që sipas saj është dokumentuar edhe në raporte ndërkombëtare, përfshirë gjetjet e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës pas vizitës së saj në mars.

Sipas AGK-së, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë zhvilluar fushata të vazhdueshme denigruese ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre profesionale.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se kjo qasje ka krijuar një klimë më të vështirë për ushtrimin e gazetarisë në vend”, thuhet në reagim.

Më tej, AGK pretendon se institucione që duhet të jenë të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim politik përmes proceseve të kontestuara të emërimit të bordeve.

Në fund të reagimit, AGK shpreh pritjen që Antonio Costa t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti rëndësinë e respektimit të lirisë së medias si një nga parakushtet themelore në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të luajnë rol të pazëvendësueshëm në informimin e publikut dhe në ruajtjen e vlerave demokratike”, thuhet në deklaratë.