Lidhja Demokratike e Kosovës është sërish në të njëjtin vend ku ka qenë shumë herë më parë: në një krizë të shkaktuar nga vetja.
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit e treta me rreth 17 për qind të votave dhe 18 deputetë, nuk solli stabilitet pas zgjedhjeve, por hapi një tjetër cikël përplasjesh brenda partisë. Pakënaqësitë që deri atëherë ishin të përmbajtura në struktura lokale dolën publikisht.
Dega e Pejës kërkoi dorëheqjen e Lumir Abdixhikut. E ndoqi Lipjani. Më pas një degë e Prishtinës. Të tria këto komuna të udhëhequra nga LDK-ja. Dorëheqje i kërkoi edhe një prej figurave qendrore, Hykmete Bajrami.
Përgjigjja e Abdixhikut ishte po aq tipike për këtë parti sa edhe vetë kriza: refuzim i dorëheqjes dhe kthim i akuzës mbrapsht. Një cikël i njohur ku askush nuk merr përgjegjësi të plotë, por të gjithë kërkojnë përgjegjësi nga të tjerët.
Dhe kështu filloi edhe një tjetër problemi real i LDK-së.
Kjo nuk është një krizë e izoluar. Është përsëritje.
Historia e LDK-së është e çuditshme. Kundërshtarët politikë rrallëherë kanë arritur t’i shkaktojnë dëmet që ajo ia ka shkaktuar vetes. As PDK-ja në kulmin e pushtetit, as Vetëvendosja në kulmin e popullaritetit nuk e kanë tkurrur LDK-në aq sa e kanë tkurrur përplasjet e saj të brendshme.
Sa herë që partia është gjendur pranë një rikthimi, është përfshirë nga lufta për drejtim. Sa herë që ka tentuar të mbyllë plagët, ka hapur të reja.
Për LDK-në, kjo nuk është më politikë. Është ritual.
Kuvendi i karrigeve, 2006
Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës dhe liderit shpirtëror të LDK-së (21 janar, 2006), filluan përçarjet e mëdha brenda partisë që vazhdimisht e kishte besimin më të madh të qytetarëve.
Ambicia për të marrë timonin e LDK-së, bëri që të krijohen dy grupe brenda partisë më të vjetër në vend.
Përplasjet kulmuan në atë që njihet si Kuvendi i Karrigeve. Fatmir Sejdiu u zgjodh Kryetar i LDK-së, në një kuvend me grushte e ku karriget fluturonin mbi kokat e delegatëve të partisë.

Grupi tjetër, që udhëhiqej nga Nexhat Daci, e që kërkonte të marr drejtimin e partisë, mbeti jashtë. Humbi garën.
Pas kësaj, ai, me disa akterë tjerë të rëndësishëm të LDK-së, themeloi një parti tjetër. E emëroi Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD).

Dëmi që iu bë LDK-së ishte i madh. Në zgjedhjet e 2007-së, LDK-ja humbi zgjedhjet për herë të parë. Fitoi PDK-ja dhe Hashim Thaçi u bë Kryeministër i Kosovës. LDK iu bashkua Qeverisë së Thaçit, Qeveri që e shpalli pavarësinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, LDD-ja e Dacit arriti që të bëhet pjesë e Kuvendit. Në zgjedhjet e 2007-së, kjo parti mori 9 deputetë. Mbeti në opozitë. Në zgjedhjet e 2010-së nuk e kaloi pragun. Por, përkundër se disa akterë të LDD-së si Besa Gaxherri, Naser Rugova e Adem Salihaj u rikthyen, elektorati nuk u rikthye te LDK-ja.
Parti të reja si Aleanca Kosova e Re e biznesmenit Behgjet Pacollit fituan terren dhe morën copëza të elektoratit të LDK-së.
Çarja e madhe në 2006-në, bëri që LDK-ja të mosrimëkëmbej më. Të mos e kthente lavdin e dikurshëm. Atë të fitoreve të padiskutueshme.
U betonua në vendin e dytë. Kështu ndodhi në 2007, në 2010-në e në 2014-në. Kryetarët ndryshuan, rezultati jo. As Fatmir Sejdiu e as Isa Mustafa, i cili u zgjodh Kryetar i LDK-së në 2010-në, nuk ia dolën ta rikthenin fitoren.

2014
Përplasja tjetër e brendshme e LDK-së, por më e kontrolluar dhe më dëme jo të mëdha, ishte ajo e 2014-së. Kur Isa Mustafa, pasi që kishte humbur zgjedhjet e 2014-së nga PDK-ja, duku u renditur parti e dytë, vendosi që të bëj marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, duke e marrë pozitën e Kryeministrit dhe duke braktisur koalicionin opozitar, të njohur si VLAN, një grup brenda LDK-së, të prirë nga Vjosa Osmani, u rebeluan.

Ata e kundërshtuan ashpër koalicionin me PDK-në. Madje, nuk e votuan Qeverinë që do të drejtohej nga Kryetari i tyre.
Por, përkundër kundërshtive, nuk pati largime nga partia.
Në zgjedhjet e 2017-së, me Avdullah Hotin si kandidat për Kryeministër, LDK-ja doli parti e tretë, pas koalicionit PAN dhe pas Lëvizjes Vetëvendosje. Por, në përqindje ishte aty aty me rezultatin e 2014-së.

Ata vendosën që të qëndrojnë në opozitë. Gjatë kësaj kohe, patën një flirtim të pashpjegueshëm me Vetëvendosjen, partinë që kishte qenë kundërshtarja më e madhe e tyre gjatë kohës kur drejtonin Qeverinë (2014-2017).
“Bashkimi i madh”
Qëndrimi në opozitë e bashkoi LDK-në. Një kompromis i madh brenda partiak, bëri që në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Vjosa Osmani, figura më e pëlqyer brenda elektoratit të LDK-së në atë kohë, të nominohej si kandidate për Kryeministre.

Kështu u duk se partia e Rugovës e kishte gjetur rrugën e rikthimit. Përkundër se rezultati i ngushtë, diferenca rreth 15 mijë vota, LDK-ja u rendit e dyta. Kësaj radhe prapa Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Ngjarjet pas kësaj, do t’i jepnin LDK-së goditjen më të madhe ndonjëherë.
Përgjysmimi i dytë
VV-ja dhe LDK-ja, pas shumë ditësh negociatash, arritën që të bëjnë koalicion. Albin Kurti u bë Kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani Kryetare e Kuvendit.

Kjo Qeveri do të ishte jetëshkurtër. Do zgjaste vetëm 50 ditë. Albin Kurti e prishi marrëveshjen e koalicionit. E shkarkoi Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, pa dakordim paraprak me LDK-në, ashtu siç parashihej në marrëveshje.
Këtu filloi – sërish – ndarja e madhe brenda LDK-së. Pjesa dërrmuese e deputetëve dhe kryesisë së partisë ishte për prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti. Vjosa Osmani dhe disa përkrahës të saj brenda partisë, e kundërshtuan.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Osmani kishte dalur kundër formimit të Qeverisë së re nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.
Osmani u largua nga LDK-ja në vitin 2021. Ajo kishte themeluar një iniciativë të quajtur Lista GUXO, në fillim të vitit 2021. Me këtë iniciativë, Osmani kishte bërë koalicion me Albin Kurtin, duke u bërë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Në ato zgjedhje, Osmani kishte garuar për Presidente, ndërsa Kurti për Kryeministër. Pas fitores me mbi 50 për qind, binomi kishte marrë të dy pozitat.

Ndonëse personalisht pati sukses duke ardhur në krye të shtetit, Osmani ish-partinë e saj e përgjysmoi. LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, mori rezultatin më të dobët në historinë e saj. Rreth 13 për qind.
Për shkak të këtij rezultati të dobët, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.
Në krye të partisë erdhi Lumir Abdixhiku.

LDK-ja, nën drejtimin e tij, arriti që në zgjedhjet lokale të 2021-së të fitojë kryeqytetin, Prishtinën.
Kjo u paraqit si fillim i ringritjes së LDK-së.
Por, kur për herë të parë ishte kandidat për Kryeministër, në shkurt të vitit 2025, Abdixhiku nuk arriti që ta bëjë rikthimin e madh të LDK-së. Mori pak më shumë se 18 për qind. U rrit për 5 për qind.
Pas këtyre zgjedhjeve, kundërshti të mëdha brenda LDK-së nuk pati. Vetëm Avdullah Hoti nga figurat qendrore të partisë ia kërkoi dorëheqjen.
Shpejt LDK-ja do të gjendej në një situatë tjetër. Zgjedhjet e dhjetorit 2025-së do ta rikthenin në rezultatin e 2021-së, me 13 për qind, apo 15 deputetë.
Pas këtij rezultati tejet të dobët, Abdixhiku mori përgjegjësinë dhe u shpreh i gatshëm edhe të jap dorëheqje.
Por, më pas ndryshoi qëndrim. Kërkoi votëbesim në Kuvendin e LDK-së, i cili u mbajt më 31 janar.
Aty, Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit. Rreth 55 për qind e delegatëve votuan pro qëndrimit të tij në krye të partisë.
Pas që u rikonfirmua si Kryetar i partisë, Abdixhiku filloi një fushatë, siç ai e quante, për bashkimin e së djathtës.
Prishja e Vjosa Osmanit me Albin Kurtin, pasi që ky i fundit nuk e kandidoi edhe për një mandat si Presidente, bëri që Abdixhku të afrohej me Osmanin dhe kështu të besonte se mund ta rriste partinë.
Pasi që vendi shkoj në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Abdixhiku e proklamoi bashkimin “e madh” të LDK-së, pasi që tani në gjirin e saj kishte edhe Osmanin.
Ndonëse kishte disa pakënaqësi për rikthimin e Osmanit dhe vendosjen e saj në krye të listës, kjo nuk e pengoi Abdixhikun që të gjithë fushatën ta përqendronte te Osmani dhe ai vetë.
Rezultati në zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishte aspak afër asaj që proklamohej. Sërish u renditën të tretët. Tre deputetë më shumë seç kishin në dhjetor. Nga 15 në 18.
Nga Abdixhiku dhe përkrahësit e tij, rezultati u pa si sukses. Kundërshtarët e quajtën dështim dhe kërkuan që ai të dorëhiqet si akt moral dhe shenjë e marrjes së përgjegjësisë.
Por, kjo nuk duket se do të ndodh. Abdixhiku është treguar i prerë se nuk do të largohet nga drejtimi i partisë, madje akuzoi se ka koordinim mes disa degëve. Disa u akuzuan nga ai edhe për sabotazh në zgjedhje.
Kjo është përplasja e radhës në LDK, partinë që u krijua dhe u bë shpresë për shqiptarët e Kosovës në rrethanat më të vështira të tyre historike. Partinë që sfidoi sistemin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodon Millosheviç. Partinë që krijoi sistemin paralel në Kosovë. Partinë që e bëri temë Kosovën në kancelaritë botërore. Partinë që artikuloi konkretisht për herë të parë idenë e një shteti të pavarur të Kosovës.
Sa herë që partia është gjendur pranë një rikthimi, është përfshirë nga lufta për drejtim. Sa herë që ka tentuar të mbyllë plagët, ka hapur të reja. Nga Kuvendi i Karrigeve në vitin 2006, te largimi i Vjosa Osmanit në vitin 2021, e deri te beteja aktuale rreth Lumir Abdixhikut, modeli duket pothuajse i njëjtë: konflikti i brendshëm, ndarja dhe humbja e elektoratit.
LDK-ja ka mbijetuar regjime dhe kundërshtarë politikë. Ka mbijetuar edhe humbje zgjedhore. Por, sa herë që është lënduar më rëndë, plaga nuk ka ardhur nga jashtë.
Ka ardhur nga dora e vet.
Prandaj, pyetja nuk është nëse LDK-ja do ta mbijetojë edhe këtë krizë. Pyetja është se sa do të kushtojë kjo përplasje e radhës. Sepse çdo krizë e kaluar është mbyllur me më pak njerëz, më pak vota dhe më pak peshë politike sesa më parë.
Në fund, rreziku më i madh për LDK-në nuk ka ardhur kurrë nga jashtë. Ka ardhur nga brenda mureve të saj. Dhe pikërisht aty po zhvillohet edhe beteja e sotme.
Nëse nuk gjendet kompromisi, atëherë LDK-ja do t’ia shkruajë sërish fatin e keq vetes. Kësaj radhe, mund të jetë fatal.
Dhe derisa modeli të ndryshojë, rezultati do të mbetet i njëjtë: një LDK që e kujton gjithmonë veten si parti të madhe, por funksionon gjithnjë e më shumë si parti që administron zvogëlimin e vet.









