Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të kuptohet brenda 24 orëve të ardhshme nëse grupi militant palestinez Hamas ka vendosur ta pranojë ose jo atë që e klasifikoi si “propozimi përfundimtar” për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Ai ka treguar se ka biseduar me zyrtarë të Arabisë Saudite për zgjerimin e “Marrëveshjeve të Abrahamit”, marrëveshje këto që lidhen me normalizimin e raporteve ndërmjet Izraelit dhe disa vendeve të Gjirit Persik, e që u ndërmjetësuan nga administrata e presidentit amerikan gjatë mandatit të tij të parë.
Të martën, Trumpi theksoi se Izraeli i kishte pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar armëpushimin 60-ditor me Hamasin, gjatë të cilit palët do të punojnë për t’i dhënë fund luftës.
Një burim i afërt me Hamasin ka njoftuar të enjten se grupi militant kërkon garanci që propozimi i ri për armëpushim, i mbështetur nga SHBA-ja, do të sigurojë përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.









