Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së dhënë në Dhomat e Specializuara, ka rrëfyer detaje të reja rreth takimit të tij me Hashim Thaçin në vitin 1999, si dhe rreth armatosjes së UÇK-së pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë.
Clark shpjegoi se takimi me Thaçin pranë selisë së NATO-s u zhvillua në aeroport vetëm për arsye praktike, duke mohuar se kishte ndonjë motiv diplomatik për të shmangur vëmendjen publike.
“Sipas kujtesës time, ky nuk ishte motivi për t’u takuar në aerodrom. Ishte thjesht e vetmja kohë dhe vend që mund të caktoja, duke pasur parasysh orarin tim dhe ku ndodhej Thaçi. Duhej të nisesha me avion atë ditë”, deklaroi ai, duke shtuar se këshilltari i tij, Mike Durkee, mund ta ketë parë këtë si një lëvizje diplomatike, por “ky nuk ishte shqetësimi im. Unë thjesht doja t’i takoja”.
Në vijim të dëshmisë së tij, Clark u ndal edhe te procesi i armatosjes së UÇK-së në periudhën pas Rambujesë.
Sipas tij, edhe pse Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte nënshkruar marrëveshjen, situata ndryshoi pasi pala serbe refuzoi ta pranonte atë.
“UÇK-ja e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë, por mendoj se pati rekrutime dhe armatim të siguruar në një moment pas nënshkrimit, kur serbët refuzuan të nënshkruanin dhe ne hymë në konflikt. Nuk kam marrë kurrë detaje të plota për këtë, por kam përshtypjen se ata morën mbështetje nga ndonjë burim”, shtoi.








