Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi – tashmë i ndjerë – kishte treguar se Lëvizja Vetëvendosje ishte bërë pengesë që ai të mos bëhej President i Kosovës.
Këtë e kishte pohuar vetë Demaçi në një intervistë për gazetën Express, më 28 tetor të vitit 2011, ballina kryesore e të cilës mban titullin “Nuk më donin”, e shoqëruar me një fotografi të simbolit të rezistencës kosovare.
“Këta kanë qenë pengesë dhe nuk kanë propozua asgjë. Ata që kanë propozu, kanë kërku që unë të jem President. Dhe ata (Vetëvendosje) kanë refuzu dhe e kanë fitu kontestin, e u bë qysh deshën ata”, kishte thënë Demaçi.

Për këtë pozitë, Demaçi ishte propozuar nga një grup qytetarësh që jetojnë në Amerikë dhe kishte marrë pëlqimin e Partisë Demokratike të Kosovës, por mbështetje nuk i kishte ofruar partia opozitare që udhëhiqej nga Albin Kurti.
Propozimi për Demaçin kishte ardhur pasi që Behgjet Pacolli ishte larguar nga pozita e Presidentit për shkak se Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se procesi i zgjedhjes së tij në krye të shtetit ka qenë anti-kushtetues.








