Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për intervistimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama në organin kryesor të akuzës këtë të premte. Në një përgjigje dhënë VOX Kosovës, PSRK ka thënë se Rama është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në lidhje me rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e PSRK-së për VOX-in.

Përparim Rama është intervistuar për dy orë rresht në Prokurorinë Speciale këtë të premte më 30 tetor në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se ndryshe nga Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ai ka treguar gatishmëri t’i përgjigjet drejtësisë.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jeni të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka thënë Rama para mediave.