Më e njohur si shtëpia e Babagjyshit të Vitit të Ri dhe për peizazhet që të kujtojnë botën magjike të Narnisë, Laplanda në Finlandë po i fton turistët të zëvendësojnë shëtitjet me drerë me një gjueti verore për ar të fshehur.
Pjesëmarrësit do të eksplorojnë shtigjet dhe pikat turistike të Levit, një qendër turistike në veri të Finlandës, e njohur për pistat e skijimit dimëror dhe pamjet e Dritave Veriore, ku kërkuesit e fatit do të jenë në ndjekje të një shufre ari me vlerë 20 mijë euro (23,300 dollarë).
“Gjuetia e Diellit të Mesnatës” (Midnight Sun Hunt) nis më 18 qershor në Qendrën e Vizitorëve të Levit, sipas një njoftimi të Visit Levi të martën.
Pjesëmarrësit mund të marrin të dhënën e parë dhe të regjistrohen për garën në qendër. Më pas, do të publikohen të dhëna të tjera që do t’i udhëheqin ecësit nëpër shtigje, atraksione dhe pika të njohura lokale, duke i afruar gjithnjë e më shumë drejt çmimit të fshehur.
Organizatorët thanë se shufra e arit mund të gjendet pas çdo të dhëne, ndërsa gjatë verës do të publikohen vazhdimisht sugjerime shtesë, duke e bërë gradualisht më të lehtë identifikimin e vendndodhjes së saj.
E dhëna e fundit pritet të publikohet më 22 gusht.
I vendosur mbi Rrethin Arktik, Levi njihet më së shumti si një nga destinacionet kryesore të skijimit në Finlandë dhe një pikë shumë e vizituar gjatë dimrit.
Gjatë muajve të verës, rajoni përjeton fenomenin e diellit të mesnatës, duke i dhënë Laplandës dritë dielli 24 orë në ditë gjatë periudhave të caktuara.
Visit Levi e përshkroi sezonin veror si një thesar të fshehur që pret të zbulohet.
“Levi njihet mbi të gjitha për dimrin e tij, por vera veriore mbetet ende e pazbuluar për shumë njerëz,” tha në njoftim drejtoresha ekzekutive e Visit Levi, Satu Pesonen.
“Ne duam t’u japim udhëtarëve një arsye të re për të vizituar Levin kur dielli nuk perëndon kurrë dhe peizazhi malor zbulon një anë krejtësisht tjetër të vetes.”
Resorti i skijimit në Levi është një nga shumë destinacionet evropiane të njohura për sezonin dimëror që kanë diversifikuar ofertën e tyre, duke ofruar aktivitete pa dëborë si paraglajdizëm, ecje malore, rafting në lumenj dhe çiklizëm malor.
“Gjuetia e Diellit të Mesnatës” organizohet në bashkëpunim me kompaninë e nxjerrjes së arit Agnico Eagle Finland, me seli në Kittilä, dhe Resortin e Skijimit Levi.
Pjesëmarrësit që dëshirojnë t’i bashkohen garës udhëzohen të lëvizin me përgjegjësi, të qëndrojnë brenda zonave të lejuara dhe të respektojnë mjedisin natyror. Organizatorët theksuan se gjuetia nuk kërkon gërmime apo shqetësim të terrenit në asnjë mënyrë.









