Gjykata Speciale ia ka ulur dënimin ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Nga 18 vjet sa ishte dënimi i dhënë në korrik të vitit të kaluar, Apeli e ka ndryshuar aktgjykimin duke marrë vendim për 13 vjet burg për komandant “Ujkun”.
Në total atij i është ulur dënimi për pesë vjet.
Aktgjykimi fillestar kundër Pjetër Shalës u shpall më 16 korrik 2024.
Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim.
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave u shqiptua më 29 nëntor 2024.
Trupi Gjykues urdhëroi Pjetër Shalën të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që iu shkaktua viktimave të krimeve për të cilat ai u shpall fajtor.
Më 28 janar 2025, Mbrojtja e e tij dorëzoi njoftimin për apel kundër urdhrit për zhdëmtim, ndërsa më 14 mars 2025 dorëzoi dosjen e apelit.
Vendimi për apelimin e urdhrit për zhdëmtim pritet të merret gjatë ditëve në vijim.