Është mbyllur qumështorja “Vita” në Istog. Vendimi është marrë nga kompania derisa të ketë verdikt final nga Ministria. Kjo pasi mbi 10 inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës zbarkuan këtë të enjte (2 korrik) në Fabrikën e kësaj kompanie në këtë komunë.

“Ne kemi marrë vendim si bord që ta mbyllim. Që është vendimi më i rëndë. Ta mbyllim deri në një vendim tjetër. Të paktën për 7 ditë. Dhe këta të ministrisë nuk brengosen, se këta punëtorë do të mbesin pa pagë dhe fermerët do ta gjuajnë qumështin”, tha drejtori i qumështores, Artan Spahiu.

Sipas tij, inspektorët kanë kërkuar llogari pse prodhuesi ka ulur sasinë e pranimit të qumështit.

“Arsyeja se na kemi thanë që me datën 7, pikat grumbulluese, jo fermerët tanë, por pikat grumbulluese, sasia do të ulet përgjysmë. Arsyeja është që ne i kemi dy milionë litra të cilat ka 3-4 muaj që kemi njoftu dhe nuk kanë marrë masa as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, njëkohësisht as ministri. Për hir, ne kemi pranu rreth 2 milionë e 300 mijë litra më shumë se sa viti i kaluar, por ministri nuk ju ka dokë aq dhe sot ka ardhë me njëfarë torture. Nuk e kam pa asnjëherë që të vijnë 25 inspektorë pa paralajmërim”, ka thënë Spahiu.

 Ministri i Bujqësië, Armend Muja, i ka quajtur “të rregullta” kontrollet nga Agjencia e Ushqimit.

“Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë “Vita”, shkroi ai.